Tropoja, karakteristika ne valle e kenge
Këngët – Kjo trevë dallon edhe për shumëllojshmëri këngësh. Disa nga llojet e shumta të këngëve popullore tradicionale janë : Këngë kreshnikësh – këndohen të shoqëruara me lahute, janë kënge epike luftërash dhe interpretohen me përmallim, dhimbje, krenari etj. Këngë trimash – zakonisht u këndohen individëve të shquar që kanë berë trimëri. Edhe këto këndohen të shoqëruara me lahutë. Kënge maje krahit ose asqerçe – këndohen zakonisht prej dy burrash se bashku, duke venë gishtat në vesh e duke thirrur fort. Janë të shkurtra si tekst. Kënge vargca – këndohen nga burrë të shoqëruara me çifteli, zakonisht janë këngë trimërie por edhe kënge dashurie. Këngë çikash – I këndojnë vajzat e reja në kullota, bjeshkë, në dasma, festa etj. Krijohen nga vete çikat. Kemi edhe disa lloj këngësh të tjera siç janë : Kënge me gisht në fyt. Këngë me tepsi. Kënge dasme –si punë kori ku dy grupe të lidhura krah për krah (vajza) përballë njëra tjetrës dialogojnë. Këngë humoristike. Kënge kapuçash. Këngë vaji. Kënge djepi. Gjama (Nikaj-Merture) Instrumentet më të përdorura në Malësinë e Gjakovës janë lahuta, lodra (tupani), defi, fyelli, çiftelia, sharkia etj.
Vallet – vallet janë bashkudhëtare në rrugën e gjatë të historisë dhe pjesë përbërëse e jetës shpirtërore të popullit të kësaj treve. Ato shquhen për dinamizëm, forcën, epizmin dhe lirizmin e tyre. Vallja është kërcyer tradicionalisht në Malësi të Gjakovës, por “me tepër e ka kërcyer Gashi” Vallet popullore të Malësisë se Gjakovës shquhen për ritmin dhe ekspresivitetin e veçantë. Tipari dallues i valleve popullore te burrave është forca e dinamizmi, ato ndonëse karakterizohen nga spontaniteti në interpretim, ato kanë edhe një tematike të caktuar. Ndërkaq vallet e grave janë teje dinamike, elegante, here here shpërthyese, por edhe të shtruara plot krenari dhe hijeshi. Përfytyro fluturimin e shqipes e të Sokolit, aty nis ritmin vallja malësore e Malësisë se Gjakovës.
http://www.youtube.com/watch?feature=player_embedded&v=5mjrsnF7648
Postuar më 9 Korrik, 2013, te Krahina e Tropojës. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.
Lini një koment
Comments 0