2.Veshja në shekujt XVII – XVIII

eri 1a) Veshjet shqiptare përballë ndikimit oriental

Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XVI, e sidomos gjatë shekullit XVII, vihet re një qytetare.

Dokumentet tregojnë se rreth mesit të shekullit XVII qytetet më të mëdha ishin: Elbasani, Prizreni, Berati, Shkodra, Prishtina, Gjirokastra etj. Si qytete më të vogla numëroheshin Vora, Ulqini, Kruja, Gjakova, Lezha, Pogradeci, Kavaja etj.

Dihet se nga të gjitha format e kulturës materiale, veshja është ajo që përhapet me lehtësinë më të madhe. Moda ka qenë dhe është një kontaminim i vërtet që përhapet në mënyrë spontane, me anë të imitimit sepse ajo është një shfaqje e jashtme që kapet lehtë.

Gjatë shekullit XVII tiparet e veshjes qytetare të shtresave të larta e të mesme, ende lëkunden midis lindjes e perëndimit. Të dhënat që disponojnë për veshjet në këtë shekull janë end fare tëpakta e të pamjaftueshme për të krijuar një përfytyrim të plotë gjendjes. Nga një dokument i viteve 1647 – 1649 mësojmë se në qytetet Elbasan, Berat e Korçë, në këtë kohë përdoreshin disa lloje stofash të shtrenjta, të importuara nga Venediku dhe të cilësuara me emrat: pirango, ska(r)lato, meneviz(ose remeneviz), koskorel ose moralso, arqimadho, stof i gjelbër, korelo(ngjyrë korali) e jargavan. Meqë këto stofra shiteshin me çmime shumë të larta (140-170 aspra krahu), nënkuptohet se ato destinoheshin kryesisht për shtresën tregtare e sidomos për klasën feudale, që përpiqej të jetonte tashmë me luksin e shkëlqimin e modës orientale. Ato ishin stofat më të përdorura nëkëtë kohë edhe në parinë e gjithë qytetit tëë bregdetit dalmatin. Një raport i vitit 1699 na tregon se tregtarët e skelës së Durrësit sillnin çdo vit 1500 copa cohë të Venedikut (draps de Venise), të punuar posaçërisht për Shqipërinë, 300 topa stofra londrine, 5-6 arka pëlhurë mëndafshi etj.

Industria e përpunimit të leshit u inkurajua në Venedik në shekujt XVII-XVIII. Tregtarët venedikas kërkonin shumë leshin e Shkodrës, të cilin e transportonin vetë dhe me të prodhoheshin cohëra të cilësisë së parë nëpër fabrikat e ngritura në qytete të ndryshme, si në Padova, Vinçenca, Verona, Bosano, Skio (Schio), Foline (Folline), të cilat pasataj shiteshin me përfitim të madh në skelat e ndryshme. Më të kërkuara ishin stofrat e përmendura ”londrine” e pastaj stofra të tjera si ishte saja ”parangone” si edhe kadifeja e mëndafsh etj. Këto stofra importoheshin në Shqipëri në sasi të mëdha që arrinin në disa mijëra topa (pezze) në vit.  Në këtë shekull pothuaj në të gjitha qytetet kryesore të vendit, punonin një numër i mirë rrobaqepësish dhe zejtarësh të tjerë që prodhonin artikujveshmbathjeje ose aksesorë të veshjes(p.sh. në Elbasan).

Popullsia e qytetit kishte kërkesa të vazhdueshme për prodhimet e këtyre zejtarëve.Në grupin e zejeve artistike  në këtë kohë u dallua edhe argjendaria. Argjendarët e Shkodrës, Elbasanit, Prizrenit, Beratit etj, prodhonin shumë stoli që plotesonin veshjen. Të tilla ishin vëthët, byzylykët, gjerdanët, qostekët, unayat etj, prej ari e argjendi, të cilat kërkoheshin në të gjithë vendin.

Lidhjet tregtare brenda vendit ishin mjaft të rregullta, sidomos në krahasim me shekullin e mëparshëm. Karvane të shumta transportonin mallra nga një qytet në tjetrin. Kështu, p.sh, tregtarët e Elbasanit dërgonin mallra në Berat, Ohër, Strugë etj, ata të Shkupit mbanin lidhje me Durrësin, Vlorën etj.

Gjatë këtij shekulli tregtarët e vendit tonë mbanin shkëmbime të rregullta edhe në vendet e tjera të Ballkanit dhe jashtë saj. Tregtarët e Prizrenit dërgonin lesh për të shitur në Gjermani, ata të Shkodrës dëergonin në Venedik, ndërsa Elbasanasit mbanin lidhje me tregtarët e Romës e të Firencës, prej ku sillnin ndër të tjera artikuj të ndryshëm manifakture, kadife, pëlhura mëndafshi, pasqyra e qelqurina e artikuj të tjerë luksi që kërkoheshin nga arisrtokracia feudale e kohës, jo vetëm në qytetet tona, por edhe në qytetet e tjera të Ballakanit. Përsa i përket prodhimit vendas, si e kemi përmendur edeh për shekullin e XVI, brenda ekonomisë shtëpiake, këtu qe zhvilluar mjaft punimi i shajakut edhe për eksport.

Sidoqoftë edhe për këtë shekull të dhënat dokumentare tregojnë se dallimet klasore dukeshin qartë edhe në veshje.Për çerekun e fundit të shek. XVII, të dhënat arkivale tregojnë se në qytetet tona veshjet e shtresave të pasura e të zanatçinjve e kishin ndier mjaft ndikimin e modës orientale, si tek myslimanët ashtu edhe tek të krishterët. Sipas shumë testamentesh, aktesh trashëgimi etj, të ruajtura nga Sheria e Beratit, shihet se disa nga pëlhurat e stofrat e përdorura në këtë shekull, duke filluar që nga më të lirat për të shkuar tek më të shtrenjtat, ishin: pëlhurë liri, beze, bokasin, astar, pushai, allaxha, cohë (pirangon, grizhë e kuqe, jeshile etj), kumash( i kuq, i qëndisur me tel), atllas( i verdhë), qemha me ngjyra të ndryshme(të kuqe, të verdhë, jeshile, qelallëk) etj. Pjesët e veshjes për gra që përmenden në këto testamente janë këmishë e të mbathura, fustane e funde, breza e peshtemalla, pastaj jelekë, mintanë, dolloma të ndryshme e vetëm në një rast çitjane; veshje të sipërme si kaftan, zibon, qyrdi, manto, kabanicë, qyrke e ferexhe të shtrenjta si edhe një vërg mbulesash të kokës e tl fytyrës si: mahramë, fes, burumllëk, buzubend dhe peçe. Gratë mbanin edhe shumë lloj zbukurimesh, veçanërisht ato të shtresave të pasura: vëthë, unaza e sumbulla argjendi, byzylykë, karfica e kurora flokësh, merxhane qafe, gjerdanë të kushtueshëm me florinj ose inxhi, breza argjendi etj. Për burra gjithashtu përmenden një varg elementesh të veshjes si: këmishë e të mbathura, jelekë e mintanë, breza, kaftanë, dollakë, çakshirë gjunjësh e vetëm në një rast shallvare; pastaj tosllukë, dizga, papuçe e çizme dhe si veshje të sipërme të kushtueshme, qyrke; për kokë përmenden takije e mahrama të ndryshme. Stolitë karakteristike për burrat janë unazat, sumbullat e zinxhirët prej argjendi, por ata mbanin edhe armë të kushtueshme si shpata me doreza argjendi, thika, pushkë etj.

Nga të paktat materiale figurative që na tregojnë forma veshjesh në këtë shekull, po përmendim dy skica, që paraqesin një burrë dhe një grua epirote, në një vepër të Kolonelit botuar më 1676. veshja e burrit Epirot është një përzierje elementesh vendase me ato orientale. Ai mban në kokë nj ”kapelë shqiptare”, si ato që kemi përmendur për shekullin e XVI, por për të zbukuruar me një pendë, çizme të shkurtra si ato të bariut të Onufrit, poture të gjera, mintan me mëngë të gjata një kapotë të gjatë me mëngë të shkurtra, si edhe armët e kohës: topuzin, shpatën e harkuar dhe shigjetat. Gruaja epirote e Koronelit ka veshur një këmishë të gjatë, mbi një mintan me mëngë të gjata, si të burrit, një kapotë me po ato mëngë të shkurtra përmbi bërryl dhe një mbulesë koke shumë të veçantë.

në këtë shekull si kudo në Ballkan, edhe tek ne, kanë hyrë në përdorim disa fjalë turke që tregojnë elemente të veshjes orientale si ferexhe, gjurdi, çakshirë etj. madje sipas dëshmisë së qartë të Buzukut, kemi edhe fjalë turke të sferës së veshjeve që kanë hyrz në shekullin e XVI si është fjala ”cohë” për të treguar një stof të leshtë, të butë, por edhe një petk stofi për gra (kuptim me të cilin kjo fjalë përdoret edhe në arbëreshët e Italisë, dhe fjala ”dolloma” ose ”dollamë” në kuptimin  e një manteli prej cohe, fjalë të cilat sipas Prof. E.Çabejt janë nga më të parat huazime turke të shqipes.

b)Zejtaria vendase për veshjet popullore në shekullin XVIII. Luksi oriental I aristokracisë qytetare

Në shek e XVIII një numër I madh veshjesh të modës së Stambollit zënë vend gjithnjë e më shumë në garderobën e fisnikëve tanë dhe të shtresave të tjera të myslimanizuara të vendit. Ato janë përgjithësisht veshje të rënda e të kushtueshme, jo vetëm nga stofrat e çmuara që përdoren, por edhe nga zbukurimet që kanë me gëzofra të shtrenjtë, çapraze, gajtanë e shirita ajri e të tjera zbukurime. Këto veshje nuk janë një notë e veçantë për vendin tonë, ato kanë marrë tashmë një qarkullim ballkanik, si rrezatime të modës së kryeqytetit të Perandorisë Turke dhe i sheh në të gjitha qytetet e rëndësishme të Ballaknit si në veshjen e burravea shtu edhe në atë të grave. Pjesë veshjeje të kësaj kategorie të përdorura në këtë shekull janë mintanët, dollomat, zibonët (a çibunët), anteritë e gjata, kaftanët, libadet, xhybet, kondoshët, binishët, qyrket, degërmitë, mahramat, mestet, jemenijet etj. Në testamente të vitit 1701  përmenden edhe shallvare e çakshire (pantallona të gjera cohe, me prerje orientale). Shumë prej këtyre veshjeve edhe pse koleksionoheshin me stofra të impotuara si nga vendet e Lindjes, ashtu dhe nga Venediku e vende të tjera të Evropës, qepeshin nga mjeshtërit rrobaqepës të vendit, duke ndjekur prerjet e modës sipas modeleve të ardhura krejtësisht nga Stambolli. Dokumentet e kohës tregojnë se në këtë shekull kishte rifilluar tregtia e Shkodrës me Venedikun, porse në tregun e këtij qyteti tashmë vinin mallra të importuara  dhe nga qendra të tjera të Italisë sI Ankona, Trieshti etj. Kurse tregtarët e Voskopojës në gjysmën e dytë të shek. XVIII , i ndërpresin shkëmbimet me Venedikun dhe fillojnë të punojnë me Vjenën e Budapestin.

Për historinë e kostumeve është me interes të dimë se ç’lloje stofrash importoheshin për veshje. Sipas një raportitë konsullit venedikas La Fontana, në vitin 1769, në skelën e Shkodrës vinin: cohëra, pëlhura mëndafshi, damask, stofra të holla të endura me filje ari e argjendi.

Nga Venediku vinin në Shqipëri mallra jo vetëm për tregtarët e Shkodrës, por edhe nga tregtarët e tjerë nga Tirana, Kruja, Elbasani, Kavaja e Berati, pra furnizonin një pjesë të mirë të Shqipërisë. Kjo tregti thotë dokumenti i përmendur më lart ”përmbahet në cohëra qoftë Venedike ose të mënyrës së Francës, në kadife e të tjera manifatura ari e mëndafshi”. Cohëra, kadife e brokarte importoheshin në vitin 1769 edhe me anë të Durrësit.

Edhe në këtë shekull përmenden në shumë qytete esnafe të forta mjeshtrish që përgatisnin artikuj të shumta veshmbathjeje (në Shkodër, Korçë, Lëngë, Voskopojë e në Shipskë).

Për veshjen e grave myslimane të shtresave të larta qytetare kemi të dhëna nga një testament i shkruar në fund të shekullit, në të cilin përmenden pjesë veshjeje që janë mbajtur në gjysmën e dytë të shekullit XVIII. Atje mësojmë se në këtë kohë veshja e grave  të kësaj shtrese në qytetin e Shkodrës përbëhej nga një këmishë e gjatë pëlhure, brenevekë pastaj vinte dollomaja e gjatë dhe  ekushtueshme e bërë pre shahmerani(stof shumë i shtrenjtë, i endur me fije ari e argjendi, që sillej nga Stambolli) a tjetër plaçkë, mbi të anteria po aq e gjatë, pastaj jeleku prej kadifeje dhe së fundi saja prej kamashi ose xhybja prej cohe e kadifeje, që ishte tashmë e preferuar. Për të dal jashtë shtëpie gruaja hidhte mbi kokë binishin (veshje e gjatë luksoze prej cohe, me mëngë të hapura dhe me gëzof anëve) e kushtueshëm. Në këmbë gratë e kësaj kohe mbanin meste të punuara nga papuxhinjtë prej saftjani(lëkurë e butë dhije) të butë. Gratë e kësaj shtrese mbanin stoli shumë të kushtueshme, unaza, vathë, gjerdanë e vathë me inxhi. Të tilla stoli të kushtueshme mbanin edhe gratë e aristokracisë feudale të qyteteve të tjera të vendit në shek. XVIII. Në një testament të vitit 1740, në Elbasan përmenden, një gjerdan gryke e stolisur me inxhi (me vlerë 10.000 akçe), një lidhje (karficë) flokësh (10.000 akçe), një gjerdan (7400 akçe) një brez argjendi (5000 akçe) e shumë stoli të tjera që i përkisnin si trashëgimim Hasan Beut, të Birit të Veiz Beut. Pjesë të ngjashme veshjeje po jo kaq të shtrenjta përmenden edhe në disa testamente të Beratit.

Edhe në veshjen e parisë së krishterë tiparet orientale ishin mjaftë të dukshme. E tillë ishte veshja e ktitorit Shamo rreth vitit 1725 në Korçe e përbërë nga një këmishë e bardhë, mbi të cilën vjen dollomaja  e gjatë deri në pulpë të këmbëve e pasta anteria, e ngjeshur për mezi me një brez të gjerë. Veshja plotësohet me një xhybe stoli të shtrenjtë, të veshur së brendshmi me gëzof. Në kokë ai ka një festë të kuqe, përqark së cilës ka lidhur një shami. Flokët i ka të shkurtra, nuk ka mjekër, por ka mustaqe. E ngjashme me veshjen e Shamos është edhe veshja e ktitorit të pikturuar në një afresk në Kishën e Shën Thanasit të Voskopojës, më 1745.

Gjithashtu e kësaj kohe duhet të jetë edhe xhybeja me gëzof e paraqitur në një afresk në Katedralen e Beratit. Këto xhybe, me ndryshime fare të lehta, do të mbeten në përdorim edhe gjatë shekullit XIX.

C)Dëshmi veshjesh popullore në afreske, gravura e dokumente arkivore të shekullit të shekullit XVIII

Materialet që disponohen për veshjet popullore janë mjaft të pasura që janë lënë nga autorë të huaj dhe nga burime vendase. Një vend me rëndësi këtu zënë veshjet laike të paraqitura në shumë freska të kishave të ndryshme, të punuar nga piktorët vendas.

Në një relacion që flet për krahinën e Himarës në vitet 1785-1788 thuhet se ”veshja e zakonshme shtëpiake, sidomos e grave dhe e fëmijëve, endet e gjitha me dorë, prej leshi, në një mënyrë trashamane e të keqe; në fshatrat Vuno, Dhërmi, Borsh ka edhe dërstila të shajakut, kurse veshja më e mirë bëhet prej pëlhuretë blerë në viset e Venedikut. Në këtë shekull bëhen përpjekje për prodhimin në vend të fijes së pambukut, e cila deri atëherë dukej se vetëm importohej.

Ndër materialet dokumentare që disponohen, tipi më i përhapur në veshjen e burrave në këtë kohë ishte ai me fustanellë e tirq (kofsharë) të ngushtë nën të, kurse në pjesën e sipërme të trupit, këmishë jelek e mëngore, dhe në mes ngkeshur një brez të gjatë; në këmbë opinga me lëkurë lope e çorape. Një llojë xhoke a flokatë me lapa të gjata trekëndëshe në supet( në vend të mëngëve) e cila vishej ose hidhej në një sp duket se ishte shumë e zakonshme në krahinat e Jugut, sepse e shohim në kuadrin që paraqet ktitorët e Metropolisë së Korçës (Haxhi koci e Mako Vasili) në vitin 1725, në veshjen e ktitorit të Kishës së Mesodhit në Vuno të Himarës (Kristofor Dhimo Stavo) në vitin 1783 (afresk që ndodhet në kishën e fshatit Vuno<0, në veshjen e një bariu të paraqitur në një afresk në Brazilikën e Libofshës dhe pastaj në një varg gravurash  tw shek. XIV.

Përsa u përket veshjeve të grave  te shqiptarët e Greqisë në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, udhëtari anglez R. Çendler thotë se gjatë udhëtimit të tij në Greqi në vitet 1764-1766, gratë shqiptare të Athinës vishnin një këmishë të gjatë gjer në fund të këmbëve, të ngjeshur për mesi me një brez të gjerë dhe mbi të një lloji xhoke prej shajaku, të gjerë dhe të shkurtër, flokët i mbanin të ndara në mes të thurura me dy gërsheta dhe të lidhura në fund me një gajtan të kuq të mëndafshtë. Përpara ato mbanin shumë monedha me madhësi të ndryshme. Të shumtat rrinin Këmbëzbathur. Kokën e mbështillnin me një rizë të gjatë, skajet e së cilës vareshin njëri përpara e tjetri prapa. Vajzat mbanin në kokë kësula prej pëlhure të zbukuruara me pare argjendi të shpuara e të qepura, duke i vndosur si luspa peshku. udhëtari freng A.L.Kastelan jep një veshje për gra: veshja me dy futa. Ai thotë se mbi këmishë ato vishnin një lloji jeleku të gjatë deri në bel, të ngjeshur për mesi me një brez dhe pastaj vinin  ”një tufë të bardhë përpara dhe një copë katrore shumëngjyrëshe prapa”, të cilat linin të dukej këmisha anëve. Kjo ishte veshja që mbanin brenda  në shtëpi, kurse kur udhëtonin vishnin përsipër edhe një fund të gjerë blu, të përveshur përpara, dhe nganjëherë edhe një xhokë (kapotë).

d) Veshje luftëtarësh shqiptarë në vepra udhëtarësh të huaj.

Dëshmi interesante për veshjet luftarake shqiptare të shekullit XVIII kemi edhe në burime të huaja.

Veshjen e luftëtarëve shqiptarë të kësaj kohe e kemi të paraqitur në një gravurë shumë të goditur,  me titull “Ushtarë shqiptarë’”. Vizatimi paraqet pesë luftëtarë, nga të cilët katër janë ulur e njëri është në këmbë (Ushtarë shqiptarë në Koron, pranë Livadhjasë të Greqisë në vitin 1782 sipas  Choiseul-Gouffier). Ata duket se kishin një  pamje shumë marciale, me ato pushkët e tyre të gjata e fustanellat e bardhë. Veshja e tyre përbëhet nga brekët e gjera, një fund I shkurtër(fustanellë), një jelek I zbukuruar me shumë rreshta sumbullash argjendi, pafta e gjerdhanë; në këmbë mbajnë opinga të lidhura me gjalma, që u arrijnë nganjëherë deri tek gjunjët dhe mbajnë tek pulpët pafta që marrin formën e këmbës dhe e mbrojnë nga fërkimet e kalit; Xhokat (kapotat) e tyre të zbukuruara me shiritin gajtan shumëngjyrësh e plotësojnë dhe e bëjnë veshjen e tyre shumë piktoreske; Në kokë ata nuk mbajnë vecse një kësulë, por edhe atë e flakin tej kur vrapojnë për në luftë.

e)  Prirje të zhvillimit të veshjeve popullore në shekujt XVII-XVIII

Në shekujt XVII-XVIII, veshjet popullore të burrave vazhdojnë zhvillimin e tyre mbi po ato tipa kryesorë që I kemi njohur në shekujt e mëparshëm, kurse veshjeve të grave, përvec atyre të tipit me këmishtë të gjatë e xhokë sipër, që e kemi njohur më përpara, u shtohen edhe përshkrime të veshjes me dy futa. Sidoqoftë, gjatë këtyre dy shekujve, të gjitha veshjet popullore evoluojnë, duke arritur forma më të përkryera në variantet e tyre dhe kjo I detyrohet padyshim, jo vetëm talentit krijues të mjeshtërve popullorë që I punonin, por kryesisht zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit. Prodhimet e importuara e të fabrikuara, të cilat me kohë shtohen, destinohen kryesisht për parinë e popullsisë qytetare dhe vetëm në një masë të vogël integrohen në veshjen popullore të fshatarësisë.Elementet e huazuara asimilohen dalëngadalë, duke iu përshtaturshijes estetike, konceptit artistic të popullit, por edhe rrymave të modës për kohën. Ka natyrisht shumë zona të vendit ku pjesa më e madhe e veshjeve punohen Brenda ekonomisë shtëpiake, në bazë të teknologjisë vendase të tekstileve popullore, por ka edhe shumë zona të tjera ku disa nga pjesët kryesore të veshjes I qepin dhe I zbukurojnë mjeshtrit e specializuar, qoftë me material vendi, qoftë me material të importuar. Këtë e provon më një anë shtimi I vazhdueshëm I kërkesave për importin e cohës, të kadifesë, të gajtanëve, të shiritave prej ari etj, e me anë tjetër fakti që në më shumë qytete ka tashmë aq mjeshtër rrobaqepës, qëndistarë, opingarë, saracë, papuxhinj etj, sa formojnë esnafe të vecanta.

Konturohet gjithnjë e më qartë specifika e zonave të ndryshme etnografike, që manifestohet jo vetëm në veshjet, porn ë të gjitha artet e aplikuara popullore, me motive, ngjyra e vecori kompozimi të dallueshme nga një zonë në tjetrën.

Gjatë kësaj periudhe, megjithëse në kushte të rënda ekonomike, shoqërore e politike, masat e gjera fshatare kanë krijuar një art të larmishëm, ku gjallëria e optimizmi shpërthejnë nëpërmjet ornamenteve  të pasura e ngjyrave të ngrohta dhe ku motivet krijojnë një specifikë të dallueshme etnike.

Veshja e ka tejkaluar prej kohësh rolin e saj të dobishëm e mbrojtës e zë një vend me rëndësi edhe në kulturën artistike të popullit.

Në këta shekuj vëmë re gjithashtu një diferencim të theksuar në veshje, sipas klasave dhe shtresave të ndryshme shoqërore, që I thellon ndryshimet dhe në shumë raste, pothuajse I shkëput krej pikat e kontaktit. Kështu p.sh, është  vështirë të gjenden pika kontakti midis veshjes së feudalëve Bushatllinj dhe veshjes së mirëfilltë popullore të malësorëve të rrethit të Shkodrës, ndërsa janë fare të dukshme afritë midis veshjeve të njerëzve të thjeshtë sin ë jug e në veri.

Të dhënat dokumentare tregojnë se, me gjithë përshtypjen e egër politike e shoqërore të pushtuesve osmanë, ndikimi I kulturës së tyre në veshje, u shtri përgjithësisht vetëm në shtresat e larta e të privilegjuara të shoqërisë shqiptare të asaj kohe, sidomos në pjesën e myslimanizuar, dhe qe më I kufizuar dhe I I cekët në masat e gjera fshatare, madje për shumë krahina mund të themi se ky ndikim u ndie fare dobët.

Përsa u përket veshjeve qytetare, elemente turke-orientale ishin padyshim veshje të tilla si dollomaja, anteria e gjatë, binishi, kondoshi, shallvaret prej cohe të kuqe etj, që përdorte kryesisht paria e myslimanizuar  e qyteteve tona kryesore të kësaj kohe, por edhe të krishterët e shtresave të pasura aty-këtu.

Edhe ndonjë element veshjeje I modës turke, që arriti të hyjë përkohësisht në  veshjet fshatare, nuk arriti të integrohet përfundimisht në to. I tillë është p.sh, rasti I dollomasë së burrave, e cila hyn deri-diku në veshjen fshatare  të shekullit XVIII, por ajo nuk qëndron gjatë në këto costume dhe në fund të shekullit XIX pothuajse nuk e shohim më në përdorim.

Duhet theksuar mirë se, ndërsa në shtresa të caktuara qytetare, pjesë veshjeje të modës së kohës, të rrezatuara kryesisht nga stambolli, por edhe nga qytete të tjera të Perandorisë Osmane, hynë në përdorim së bashku me emrat e tyre, në shtresat e gjera të popullsisë, sidomos në popullsinë fshatare, me kohë hynë në përdorim shumë emra të veshjes së modës, jo së bashku me objektin përkatës, por për të emërtuar pjesë ekzistuese të veshjeve vendase. Kështu ngjau që xhoka ose xhupa e vjetër vendase prej shajaku, filloi të thirret “dolloma”, brekeshat vendase të burrave filluan të thirren edhe “shallvare”. Në disa krahina tirqit I quajtën “cakshirë” ose “cedikë”, guna e gjerë “jepinxhe” ose “japanxhe”, mëngorja “hirkë”etj. Ky fenomen I futjes së fjalëve pa objektin përkatës, krijon përshtypjen e rreme se ndikimi turk në fushëne  veshjeve ishte më I gjerë e më I thellë nga sa ishte me të vërtetë.

Në këta shekuj n tërheq vëmendjen edhe një fenomen tjetër më rëndësi, shtrirja e një tipi kryesor të veshjeve shqiptare për burra, shumë prej kufijve të vendit tonë: Fustanella e gjerë, e bardhë, u jepte burrave shqiptarë atë pamje krenarie e luksi , atë karakter marcial e njëkohësisht elegant në ecje, që s’kish të krahasuar me veshjet e tjera popullore të Ballkanit.

Advertisements

Postuar më Qershor 30, 2013, te Uncategorized. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: