1.Veshja në shekujt XIV – XVI

a) Lloje tekstilesh të përdorura për veshjet

Kur flasim për historinë e veshjes në periudhën e feudalizmit duhet të kemi parasysh karakterin e prodhimit në këtë kohë. Pjesët e veshjes për masat e gjera fshatare në këta shekuj punoheshin kryesisht brenda kuadrit të ekonomisë shtëpiake, me lëndë që nxirrej nga prodhimet bujqësore e blegtorale, siç ishin lëkura, leshi, liri, kërpi e mëndafshi.

Pëlhura më e vjetër prej kërpi e ruajtur deri më sot në vendin tonë është e vitit 1373(Është fjala për epitafin e madh të Glavinicës, që ruhet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë), por dihet mirë se pëlhura prej liri e kërpi kanë vijuar të përdoren gjerësisht në veshjet popullore deri në fillim të shekullit XX,  e në disa krahina edhe më vonë. Kultivimi i mëndafshit gjatë shekujve të mesjetës përmendet në disa të dokumenteve, duke filluarqë nga vitet 1335, 1348 etj. Madje që nëfund të shekullit XIV përmendet dogana të mëndafshit në Shkodër e në Drisht, gjë që dëshmon se mëndafshi tashmë edhe eksportohej. Krahinat ku lulëzonte më shumë kjo kulturë gjtë mesjetës ishin rrethet e Vlorës, Beratit, Durrësit etj.

Përsa u përket ngjyrave, duhet patur parasysh se përgjithësisht në tekstilet e punuara në shtëpi nga gratë fshatare, mbizotëronin ngjyrat natyrore të leshit(pra e bardhë, e zezë, e murrme dhe bojë kafe), por përdoreshin edhe ngjyrorësit bimorë. Krahas prodhimeve të ekonomisë shtëpiake, një sasi pëlhurash silleshin edhe nga jashtë. Ato më të lirat ishin pëlhura liri, që destinoheshin kryesisht për njerëzit e shërbimit,”pro servientibus”, si thuhet shprehimisht në dokumentet përkatëse të periudhës së mesjetës para turke. I tillë është ai ”panno lineo” pëlhurë liri , si dhe pëlhura e Bergamos, (Itali) (panno borgomasco) të cilat i takojmë në dokumente që në fund të shekullit XIII. Ato silleshin kryesisht nga Puglia (Itali).

Dihet gjithashtu se në shekullin XIV, për shërbëtorët, lajmëtarët etj, janë përdorur pëlhura  me vija ngjyrash të ndryshme ”pani vergati”, të cilat silleshin me anë të Raguzës, në Shkodër dhe në Tivar.

E një cilësie gjithashtu modeste ishte një pëlhurë e quajtur fustan (”fustagno”), importimi i së cilës përmendet në një varg dokumentesh, duke filluar që nga fundi i shekullit XIII (viti 1297). Gjatë gjithë shekullit XIV ajo sillej më fort me anë të Raguzës, por më vonë në shekullin XV sillej nga Venediku. ”Fustani” ishte një pëhurë pambuku ose pambuku të përzierë me lin, e punuar dendur, me qëndrueshmëri të madhe dhe kështu përshtatej edhe për veshjet e njerëzve të punës e të shërbimit. Një dokument i vitit 1403 e përcakton qartë se për cilën shtresë shoqërore destinohej kjo pëlhurë në atë kohë. Atje flitej për dy-tre topa fustan që u jepen dhuratë fisnikëve vendas për vartësit e tyre. Me këtë lloji pëlhure bëhej në këtë kohë fustani (a fustanella), prej së cilës ai mori, me sa duket dhe emrin, si ka ndodhur shumë her ë në historinë e veshjeve, jo vetëm tek ne, por edhe në popuj të tjerë.

Dukumente të shumta të shekujve XIV e XV përmendim stofa të ndryshme që u jepen nga ana e Venedikut dhe Raguzës, jo vetëm krerëve të vendit, për të cilët rezervohen stofat më të mira e më të shtrenjta, por edhe cohëra më të lira për fisnikët e vegjël dhe pasuesit e tyre. Ndër to përmendim në radhë të parë cohërat me ngjyrë të  kuqe (panni de scarlato, panni scarlatina, panni scarlati fini, panni scarlati de grana fine, panni de grana), gjithmonë shumë të shtrenjta, por edhe shumë të kërkuara nga fisnikët e kohës. Përmenden përveç tyre, edhe lloje cohërash të tjera: ”panni stametti” ose ”panni rubei de stametto”, që ishin të leshta, si edhe ”panni rubei boni” panni rubei quarantini” ”panni  de Cumis”, ”panni de Florentia” dhe ”panni viridi”. Në këtë kohë këto ishin stofat më të çmuara e më të vlefshme që përdornin shtresat e larta të shoqërisë jo vetëm tek ne, por edhe në vende të tjera. Dihej se në këta shekuj edhe ngjyrat e stofave të përmendura ishin të përcaktuara sipas shtresave shoqërore; kështu e kuqja, e gjelbra dhe manushaqja e mbyllët (paonazzo scuro) ishin ngjyrat e rezervuara për fisnikët. Shumë të preferuara prej tyre ishin edhe pëlhurat e mëndafshta të qendisura me ar. Vetëm në një rast përmenden, në një dokument, stofra të Flandrës dhe po ashtu ende rrallë përmendet kadifeja (velluto), e cila do të mbetet për shumë kohë një plaçkë shumë e çmuar për veshje. Të gjitha këto stofra silleshin përgjithësisht nëpërmjet Venedikut dhe në këtë rast ”taksa doganore ishte më e ulët se taksa e stofave që vinin nga vende të tjera në viset e Arbërisë e të Sklavonisë.

Shumë nga princat e fisnikët shqiptarë blinin ma anë të Venedikut stofat që u duheshin për nevojat e familjarëve të tyre e të njerëzve të shërbimit. Kështu p.sh, dimë se familja e Gjon Kastriotit furnizohej me stofa nga Venediku, sepse në një dokument të vitit 1433 thuhet se ”një i dërguar i Gjon Kastriotit i është paraqitur Venedikut duke këkuar që: a) pëlhurat që blihen për shtëpinë e tij, të përjashtohen nga taksa doganore…”. Po kështu në Venedik, i blinin stofat që u nevojiteshin për përdorim të Arianit Komneni, Ballsha dhe fisnikë të tjerë. Si shihet edhe gjatë shekujve XV – XVI, stofrat si edhe moda e veshjes për aristokracinë e vendit,  vinin ende nga perëndimië kyesisht nëpërmjet Venedikut, por edhe nëpërmjet Raguzës. Në shek. XVI, për shkak të pushtimit osman, u ndërpre për një kohë tregtia me Venedikun e vende të tjera të perëndimit, por edhe nga fundi i këtij shekulli shohim se krahas mallrave që vijnë nga Lindja (Stambolli, Brusa etj.) rifillon sjellja e mallrave edhe nga perëndimi. Llojet e stofrave që importoheshin në këtë kohë, nga skela e Vlorës, p.sh ishin : mëndafsh i llojit qemha(camha), kadife, tafta, valë, tylbend, bogas, astar, beze, shamira e mahrama, në përgjithësi pëlhura të mëndafshta, stofa të leshta etj, artikuj të pambuktë dhe lëkura kafshësh të egra (dhelpra, ketra etj.). Po në këtë kohë prodhoheshin në vend, jo vetëm për nevoja shtëpiake, por edhe për treg, një sasi e mirë pëlhurash të mëndafshta, shajak (çuka) dhe veshje, të cilat dilnin i shisnin në treg vetë gratë, sikurse thuhet shprehimisht në Kanunamenë e Shkodrës të vitit 1570.

b) Format e veshjeve, nga fustanella e vitit 1335 tek ”mëngoret”e modës shqiptare”

Gjatë shekullit XIV, në veshjen e tyre fisnikët e kohës ndiqnin botën bizantine, për të cilën mund të krijojmë një përfytyrim deri-diku të qartë nga afresket e ruajtura ende nga disa nga kishat më të vjetra të vendit, sidomos nga portretet e ktitorëve. Ata janë paraqitur të veshur së pari, me një rrobë të gjatë deri te nyjet e këmbëve, të mbyllur përpara, me mëngë të gjata, por fare të ngushta mbi të cilën vjen sakoja e rëndë, e kopsitur përpara, po aq e gjatë sa rrobja e brendshme. Sakoja ka mëngë të shkurtra gjer te bërryli që përfundojnë në ca lapa të gjata që varen poshtë. Kjo është një veshje e rëndë, ende plotësisht bizantine, e drejtë, e gjerë, e ngrirë nga zbukurimet e shumta me fije ari e gurë të çmuar, ku forma e trupit humbet krejt.

Veshja e grave përbëhej gjithashtu nga një rrobë e brendshme e gjatë. Sipër saj vishej një sako e gjatë dhe kjo deri për tokë dhe shumë luksoze. Gratë mbështillnin kokën me një pëlhurë të hollë, që u mbulonte qafën e pjesërisht supet, gjurmët e së cilës do t’i ndeshim deri vonë në mbulesat e kokës të grave në disa krahina të vendit (p.sh në Dropull, Has etj).

Në shek. XIV në përgjithësi zbukurimi i veshjes së fisnikëve bëhej ende me qëndisje me fije ari, perla e gurë të çmuar. Veshja plotësohej me një varg aksesorësh si ishin brezat prej argjendi, vathët e tëmthoret prej perlash dhe sidomos kurorat, diademat skeptrat. Për një kurorë të zbukuruar me perla e gurë të çmuar flitet në një dokument të vitit 1363, kurse për një kurorë të artë e katër palë vëthë me perla, që i përkisnin gruas së Gjergj Topisë, bëhet fjalë në dokumente të viteve 1393, 1399, 1400. Ato tregojnë se bujaria e kohës tek ne ndiqte modën bizantine jo vetëm në veshje, por edhe në zbukurimet e kushtueshme. Në shekujt e ardhshëm bëhet fjalë gjithnjë më pak për të tilla stol, gjë që tregon se fasti bizantin ishte tashmë në rënie. Në dokumente të shekullit XIV përmenden edhe breza argjendi për gra. Këta breza vazhduan të përdoren edhe në shekujt e mëvonshëm, si na dëshmon një këngë arbëreshe e dorëshkrimit të Kieutit (viti 1737) si edhe objekte të shekujve XVIII – XIX të ruajtura në koleksionet tona muzeale.

Shekulli XIV është shekulli i flokëve të gjata për burrat, që i mbajnë të lëshuara supeve e prapa ose të thurura  gërshet. Përveç figurave të paraqitura në freska ktitorësh të kohës, një dëshmi tjetër për këtë e kemi tek pohimi i fisnikut shqiptar Gjon Muzaka, i cili në testamentin e vet drejtuar të bijve, tregon se Teodor Muzaka(që jetoi në shek. XIV) mbiquhej ”Chiscetis”, se i mbante flokët e gjata ”ksheta”, ashtu si ishte zakoni përgjithshëm në atë kohë, zakon që vazhdoi edhe në kohën e rinisë së Gjon Muzakës, pra në shek.XV. Gratë gjithashtu i mbanin flokët e gjata thurur gërsheta. Shumë të pakta e të paplota janë të shënat që gjejmë nëpër dokumente për veshjen e njerëzve të thjeshtë. Më i rëndësishmi ndër ta është një dokument i vitit 1335, që tregon se një marinari në portin e Drinit pranë Shkodrës, i marrin ndër të tjera këto plaçka: tunikën, mantelin, fustanin, këmishën etj. Kjo është dëshmia më e hershme që njohin deri tani, ku ”fustani” përmendet tashmë si një pjesë e veshjes, krahas këmishës.

Në këtë shekuj gjejmë edhe në disa qytete të Shqipërisë, mjeshtër që punojnë artikuj të ndryshme veshmbathjeje, si rrobaqepës (sartores), këpucarë e opingarë (calligari) etj. Kjo tregon se nëpër qytete kishte tashmë një shtresë njerëzish që kërkonin punën  e këtyre  mjeshtërve.

Gjatë shek. XIV, një varg qytetesh si Vlora, Durrësi, Berati, Shkodra e Pulti arritën kulmin e zhvillimit të tyre e kë yhvillim ishte kryesisht pasojë e lulëzimit të zejtarive e të tregtisë. Shumë zejtarë si rrobaqepësit, lëkurëpunuesit, gëzoftarët, opingarët, qëndistarët etj, përgatisnin artikuj të ndryshëm veshmbathjeje ose i koleksiononin ato me stofa të shtrenjta të importuara. Këto stofa ishin, të shumtat, prodhime të qyteteve të lulëzuara italiane të kohës, si Gjenova, Livorno, Firence etj. Përpjekjet e Venedikut për të penguar hyrjen e stofave nga vende të tjera, janë të pareshtura në këtë kohë.

Gjtë shekullit të XV zbehet sa vjen më shumë ndikimi bizantin në forën dhe prerjen e veshjeve, por ai ndihet ende i fortë në preferencën për disa ngjyra të konsakruara (si ishin e kuqja, e gjelbra, manushaqja), në qendisjet me ar e zbukurimet e tjera të rënduara, në mëngët me llapa të zgjatura përtej dorës e në të tjera karakteristika, arrijnë të lene disa gjurmë edhe në veshjet popullore të shekujve të mëvonshëm. Dëshmi tw veshjes së shek. XV gjejmë edhe nëdiasporën shqiptare, sepse shume nga këto koloni janë themeluar pikërisht në këtë shekull. Në të gjejmë veshjen me fustanellë për burra dhe atë tip veshjeje për gra që përbëhet nga një këmishë e gjatë pëlhure (e zbukuruar me qëndisje jo vetëm për fundi, por edhe te jaka, gjoksi, supet e mëngët), mbi të cilën vishej një lloji xhoke prej shajaku e cohe, e gjatë gjer në gju dhe zakonisht pa mëngë. Për historinë e kostumeve tona kjo ka rëndësi se tregon se ky tip veshjeve, me element bazë një këmishë të gjatë të zbukuruar, ekzistonte si i tillë në kohën e Bizantit.

Ka edhe pjesë të tjera veshjeje të ruajtura tek shqiptarët e Italisë si mendi, ai mantel tradicional që përdorej në Piana degli Albanesi, tabani, një gunë Barinjsh a pelicuni, lëkurçja a deleshi, që përdornin barinjtë në Frasnitë (Kozencë), të cilat ata duhet t’i kenë sjellë me vete që në kohën e emigrimit të tyre. Dihet mirë se në mesjetë lëkura e dhenve përdorej  gjerësisht në veshje të cilat, në gjuhët neolatine perëndimore quheshin ”peliçon”a ”pellisson” etj, prej ku ka të ngjarë të ketë origjinën edhe fjala pelicun e arbëreshëve tanë. Një autor arbëresh e përshkruan ”pelicunin” si një kapotë pa mëngë, e bërë me tri lëkura dhensh, një në mes e dy të tjera anëve. Një paraqitje figurative të këtij deleshi mesjetar shohim tek veshja e bariut, në një afresk të kishës së Valshit (rrethi i Elbasanit), pikturuar rreth  vitit 1554 nga piktori ynë i madh i këtij shekulli, Onufri, si dhe në një ikonë të Beratit. Veshja e bariut të Onufrit meriton një vemendje të veçantë, sepse dëshmitë e këtij lloji, sidomos për njerëz nga masat e gjera fshatare, janë të rralla në këtë periudhë. Ky bari mban një veshje të bëre prej lëkure dhensh, nën të cilën duhet të ketë një këmishë po kjo nuk duket. Kjo veshje prej lëkure është e gjatë gjer mbi gju, e hapur përpara, me mëngë të shkurtra deri në bërryl dhe e ngjeshur për mesi me një brez të ngushtë, tek i cili varet anash një kungull uji. Në njërën dorë ka një kërrabë. Në këmbë ka një lloj çorape ose çizme prej shajaku, të gjata pothuaj deri në pulpë. Ai është paraqitur me mjekër, mustaqe e flokë të gjatë. Kapela e tij është shumë karakteristike: Ajo ka formën e një kalote shumë të lartë, me strehë anëve. Atë e shohim edhe në dy portrete shenjtorësh në Kishën e Shën Mëhillit në Berat. Kjo lloji kapele bëhet shumë e njohur në Evropën Perëndimore, sidomos në shekujt XVI – XVII, ndoshta si një ndikim i veshjes së stradiotëve shqiptarë të kohës. E gjejmë të përmendur disa herë nga shkrimtari i njohur freng i shek. XVI Fransua Rabele në veprën e tij ”Gargantya dhe Pantagryel” me fjalët ”kapelë shqiptare”, përdorur si një term krahasimi për të treguar një të dal shumë të theksuar. Kurse më vonë, një ribotues freng i veprës së Nikolait, Myzerai, për po këtë figurë thotë: në kokë ai mban një lloj kapele të zezë sipas modës shqiptare(une sorte de chapeau noir a l’albanaise) dhe si e tillë përmendet ajo edhe në burime të tjera të mëvonshme. Një kapelë të tillë të lartë mban në kokë edhe bujari shqiptar( Epiroti) i paraqitur në një gravurë të vitit 1581. Ai është i veshur me një rrobë të gjatë gjer në fund të këmbëve, të mbyllur mirë përpara me kopsa të vogla.  Kjo rrobë ka mëngë të gjata e të ngushta dhe është e ngjeshur për mesi me një shallë të gjatë të mëndafshtë. Mbi të ai ka hedhur supeve mantelin e tij të gjatë në formë pelerine. Kjo veshje duket se mbahej edhe në fillim të shek. XVI, sepse pak a shumë do ta përfytyronim të veshur, që në vitin 1501, bujarin shqiptar Konstandin Komnen Arianiti, nga ai përshkrim i shkurtër që na jepet në një dokument të këtij viti : ”ishte i veshur me një xibun të artë e sipër një petk mëndafshi ngjyrë manushaqe, kësulë( baretë) kadifeje e një gjerdan të trashë në qafë, flokët e zeza, ështëmë i madh me shtat të hijshëm…” Kjo, m sa duket ishte veshja e bujarëve të krishterë të kohës edhe në vende të tjera të Ballkanit. Disa përshkrime të shkurtra kemi edhe për veshjen e grave te arbëreshët e Italisë (Krotone, Kalabri), të dhëna nga G.Marafioti. Ai thotë: ” Gratë arbëreshe mbajnë veshje(pëlhurash) të ashpra, nga mesi e poshtë, kurse nga mesi e lart veshja e tyre është prej cohe, me ngjyra të ndryshme, sepse pjesën e sipërme të rrobës e bëjnë me rripa lloj-lloj ngjyrash, të qepur njeri mbas tjetrit; opingat e tyre nuk janë me lëkurë të butë, por me lëkurë të ashpër, si ato që mbajnë burrat; nuset e rejambajnë mëngë të mëndafshta, të lidhura te supi me rripa (kordele) ngjyrash  të ndryshme.

Një tip tjetër veshjeje popullore në këtë shekull e kemi në një afresk të vitit 1576 ku paraqitet ktikori i ulur në gjunjë. Ai mban veshur një këmishë të gjatë me mëngë, sipër së cilës ka një lloji kaporane me mëngë të shkurtra, që të kujton kaporanet e Lumës a xhurditë e Tiranës. Në kokë ai mban një takije të bardhë të ngjashme me atë të Myzeqesë.

Kështu deri në fund të shek XV zhvillimi i veshjes eci i pandërprerë. Veshja e fisnikëve vazhdoi të zhvillohet jo vetëm nën ndikimin e traditës bizantine, por edhe nën ndikimin perëndimor, që hynte tek ne kryesisht nëpërmjet marrëdhënieve me qytetet italiane.

Nuk duhet harruar se shumë nga familjet bujare të kohës, si Balshajt, Zahariat, Dukagjinët, Jonimët, Topiajt, Gropajt, Arianitët, Muzakët, Kastriotët etj, në shek. XV ishin përzierë midis tyre me lidhje të shumëfishta gjaku e krushqie. Shumë prej tyre kishin të tilla lidhje edhe me dinastitë e mëdha të kohës si Paleologët, Asienët, Anzhuinët, despotët e Janinës dhe me gjithë aristokracinë serbe, kroate e boshnjake, pra e mbanin veten të barabartë jo vetëm me ta, por edhe me bujarët e Italisë së Jugut. Në një marrëveshje midis Anzhuinëve e despotit shqiptar Andrea II Muzaka (në vitin 1336) u jepej anëtarëve të kësa familjeje liri që të vinin në Durrës sa herë që të dëshironin, dhe ata mbetën deri në shpërnguljen e tyre në Itali(në vitin 1476) në raporte miqësore me familjet fisnike të Durrësit. Këto lidhje miqësie që favorizonin shtrirjen e modës venedikase në gjithë mënyrën e jetesës, duekt se vazhdonin edhe në shek XVI.

Gjithashtu në veshjen e burrave të kësaj kohe, disa pjesë të veshjeve përmenden si tipike shqiptare. Të tilla janë xhamadanët me mëngë të lëshuara prapa, kapotat e rënda prej shajaku,pelerinat e kuqe në formë hlamide, kapelat e larta e me strehë etj. Kjo tregon se veshjet shqiptare në ketë shekull gëzonin një popullaritet të gjerë në shumë vende të Evropës. Në disa veprash letrarësh të shquar të kohës, në gravura e vizatime, në dokumente arkivale etj, flitet shprehimisht për veshje të ”modës shqiptare”. Ky fakt nuk mund të mos vihet në lidhje me jehonën e gjerë të luftës së madhe të popullit shqiptar kundër pushtuesve osmanë, luftë e cila bëri që trimëria legjendare e shqiptarëve të ngjallte interesimin dhe admirimin e gjithë Evropës. Pa dyshim përhapja e këtyre elementëve të veshjes u detyrohet edhe stradiotëve shqiptarë, atyre ushtarëve të kohës, që angazhoheshin në shumë vende të Evropës (Francë, Spanjë, Vendet e Ulëta, Mbretëria e Napolit etj.), të cilët gëzonin një famë të merituar për cilësinë e tyre të larta ushtarake. Si dihet ata shkonin me pajisjet e veta( armë, kuaj, veshmbathje) dhe shtegtimet e tyre, me sa duket, janë ato që e bënë të njohur nëpër Evropë kostumin me fustanellë.

Advertisements

Postuar më Qershor 30, 2013, te Uncategorized. Faqeruani permalidhjen. Lini një koment.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: